Ndërlidhjet

Pezullohet gazetari që do të moderonte debatin Trump-Biden


Steve Scully (djathtas) ka mbuluar zgjedhjet presidenciale në C-SPAN për gati 30 vjet dhe ka krijuar një reputacion për mbulim të balancuar. Në këtë fotografi të vitit 2007 është ai dhe ish-presidenti amerikan, George Bush.
Steve Scully (djathtas) ka mbuluar zgjedhjet presidenciale në C-SPAN për gati 30 vjet dhe ka krijuar një reputacion për mbulim të balancuar. Në këtë fotografi të vitit 2007 është ai dhe ish-presidenti amerikan, George Bush.

Një gazetar veteran në Shtetet e Bashkuara, i cili është zgjedhur për të moderuar debatin e dytë midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sfiduesit të tij, Joe Biden, u pezullua, pasi pranoi se ka gënjyer se llogaria e tij në Twitter është hakuar.

Steve Scully, gazetar i kanalit kabllor C-SPAN, u pezullua për kohë të pacaktuar.

Scully do të moderonte debatin e planifikuar për 15 tetor, por ai është anuluar, pasi organizatorët e kanë shndërruar në debat virtual.

Organizatorët e kanë cilësuar si shqetësim infektimin e Trumpit me koronavirus, por Trump ka refuzuar të marrë pjesë në debat virtual.

Javën e kaluar, Scully ka qenë i përfshirë në një shkëmbim në Twitter me Anthony Scaramuccin, ish-ndihmës i Trumpit, tani kritik i tij.

Scully është dukur se ka kërkuar këshilla prej tij.

Kur shkëmbimi ka nxitur polemika, Scully ka thënë se llogaria e tij është hakuar.

Në një deklaratë të kërkim-faljes, Scully tha se ka zhgënjyer kolegët e tij. "U kërkoj falje atyre", tha ai.

"Ne u dëshpëruam shumë nga ky lajm dhe nuk i falim veprimet e tij", tha përmes një deklarate kanali C-SPAN.

Scully ka mbuluar zgjedhjet presidenciale në C-SPAN për gati 30 vjet dhe ka krijuar një reputacion për mbulim të balancuar.

Është e paqartë se kur do të kthehet, por pezullimi i tij sugjeron se ai do të jetë jashtë programit në natën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 3 nëntor.

XS
SM
MD
LG