Ndërlidhjet

Zyra për Kosovën në Beograd: Asociacioni të formohet menjëherë


Mirosllav Lajçak dhe Petar Petkoviq gjatë takimit në Beograd, 16 tetor, 2020.
Mirosllav Lajçak dhe Petar Petkoviq gjatë takimit në Beograd, 16 tetor, 2020.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet “menjëherë” me kompetencat që i parasheh Marrëveshja e Brukselit.

Në një takim me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Petkoviq tha se me formimin e Asociacionit “testohet jo vetëm vullneti i Prishtinës për t’i zgjidhur problemet me dialog, por edhe aftësia e BE-së, si ndërmjetësuese e dialogut, për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve”, njofton Zyra për Kosovën në Beograd.

Duke vlerësuar se Asociacioni synon “të mbrojë pozicionin dhe të drejtat e popullit serb në Kosovë”, Petkoviq tha se “Beogradi, në interes të të gjithë rajonit, dëshiron ta vazhdojë dialogun dhe t’i zgjidhë çështjet e hapura me mjete paqësore”.

Ai tha se edhe nga Prishtina duhet të kërkohet kredibilitet.

Lajçak e nisi vizitën në Serbi të enjten me një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak tha se për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë ka pasur pajtim dhe se ai duhet të realizohet.

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkuar në Bruksel, në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, megjithatë, ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Para vizitës në Beograd, Lajçak qëndroi dy ditë edhe në Kosovë, ku tha se Asociacioni do të formohet pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në disa raste se Asociacioni është temë që nuk hapet më, por pas takimit me Lajçakun ka thënë se "Asociacioni nuk do të themelohet pa u arritur marrëveshja finale".

XS
SM
MD
LG