Ndërlidhjet

Për vrasjen në Francë përgjegjës i riu me origjinë çeçene


Njerëzit janë mbledhur pranë shkollës ku ndodhi sulmi. 17 tetor, 2020.

Një zyrtar francez ka thënë se një 18-vjeçar me origjinë nga Çeçenia, i lindur në Moskë, është përgjegjës për vrasjen e një mësuesi në periferi të Parisit.

Sulmuesi ia kishte prerë kokën mësuesit. Pas sulmit, ai është qëlluar për vdekje nga policia.

Prokurori kundër-terrorizmit, Jean-Francois Ricard dha këtë njoftim, një ditë pas incidentit, të cilin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e quajti "sulm terrorist islamik".

Ricard u tha gazetarëve se sulmuesi ka postuar në Twitter fotografitë e trupit të mësuesit, së bashku me një mesazh ku pohonte se ai e ka vrarë mësuesin.

Zyrtarët e kanë identifikuar viktimën si Samuel Paty, 47-vjeçar, mësues i historisë dhe gjeografisë, i cili më herët gjatë këtij muaji, kishte shfaqur para studentëve të tij, karikatura të Profetit Muhamed, si pjesë të një diskutimi mbi lirinë e shprehjes.

Mediat franceze kanë raportuar se shfaqja e këtyre imazheve ka nxitur kundërshtimin e disa prindërve të nxënësve. Myslimanët besojnë se shfaqja e pamjeve të profetëve është blasfemi.

Policët francezë u kanë thënë mediave se nëntë persona janë ndaluar, përfshirë edhe gjyshërit dhe vëllain 17-vjeçar të sulmuesit.

"Njëri prej bashkatdhetarëve tanë u vra sot sepse ai mësoi... lirinë e shprehjes, lirinë për të besuar dhe për të mos besuar", tha presidenti Macron, pak orë pas incidentit.

Mediat franceze raportuan se pak pas sulmit, që ndodhi në Conflans-Sainte-Honorine, në afërsi të shkollës ku punonte Paty, një person që po mbante një thikë në dorë ishte parë në afërsi ku ndodhi krimi.

Një zyrtar policor u konfrontua me të dhe sulmuesi bërtiti "Allahu Akbar", që në shqip do të thotë "Zoti është i madh". Këtë shprehje e kanë përdorur shpesh xhihadistët gjatë sulmeve, tha një zyrtar policor për AFP-në.

Autoritetet e rendit gjetën një thikë dhe një revole që gjuan me fishekë të plastikës, tha një zyrtar i policisë, i cili nuk është identifikuar.

Liderët myslimanë e kanë dënuar vrasjen, që shumë prej figurave publike thanë se është një sulm mbi thelbin e shtetit francez dhe vlerave të sekularizmit, lirisë, lirisë së besimit dhe lirisë së shprehjes.

Në Parlamentin e Francës, deputetët nderuan mësuesin e vrarë dhe dënuan "sulmin e tmerrshëm".

Franca është përballur me një seri të sulmeve të dhunshme të kryera nga militantët islamik gjatë viteve të fundit.

Ky shtet ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore, me rreth 5 milionë banorë. Shumica nga ta janë çeçenë të cilët kanë fituar azil pasi Moska zhvilloi luftë me separatistët islamikë në Çeçeni në vitet 1990.

Presidenti Macron së fundmi po bën presion që të miratohet një ligj i ri për të frenuar, atë që disa po e quajnë si “separatizëm” të brendshëm, përfshirë edhe radikalët islamikë të cilët po mundohen të shpërndajnë ideologjinë e tyre te njerëzit përmes predikimeve në shkolla apo në shtëpi.

Muajin e kaluar, një person që kishte emigruar në Francë nga Pakistani, plagosi dy persona, jashtë zyrës së revistës satirike, Charlie Hebdo.

Stafi i Charlie Hebdo kanë qenë cak i sulmit të militantëve islamikë pesë vjet më parë, pasi kjo revistë kishte publikuar disa karikatura që sipas sulmuesve u cilësuan si blasfemike. Gjatë sulmit në Charlie Hebdo u vranë 12 persona, përfshirë edhe një zyrtar policor, i cili doli në vendin e ngjarjes dhe u plagosën edhe 11 persona të tjerë.

Katër ditë pas sulmit, dy milionë qytetarë të Francës dolën në rrugë për të treguar unitet.

Dhjetë muaj më vonë, në nëntor të vitit 2015, sulme të koordinuara me bomba dhe me armë nga militantët islamikë, targetuan vendet kulturore në Paris dhe në periferi të kryeqytetit francez, duke lënë të vdekur 130 persona dhe duke plagosur mbi 400 të tjerë. Këto ishin sulmet më vdekjeprurëse në Francë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG