Ndërlidhjet

Sulmi në Francë: Nxënësit janë paguar për ta identifikuar mësuesin


 Samuel Paty.
Samuel Paty.

Dy nxënës janë paguar për ta identifikuar mësuesin, të cilit më pas i është prerë koka të premten, në një sulm që ka shokuar Francën, kanë pretenduar të mërkurën prokurorët.

Samuel Paty është shënjestruar rreth një shkolle në afërsi të Parisit, për shkak se ka shfaqur karikaturat e Profetit Muhamed para nxënësve të tij në klasë.

Vrasësi i tij, 18-vjeçari, Abdullakh Anzorov, është qëlluar për vdekje nga policia, pak pasi ka kryer sulmin.

Të mërkurën, prokurorët kanë thënë se Anzorov ka paguar dy nxënës rreth 300 euro për ta identifikuar Patyn.

Vrasësi u ka thënë nxënësve se dëshiron “ta incizojë mësuesin dhe ta bëjë atë të kërkojë falje për prezantim të karikaturave të Profetit Muhamed”, ka thënë prokurori kundër terrorizmit, Jean-François Ricard në një konferencë për media.

Ai ka thënë se Anzorov u ka thënë atyre se dëshiron “ta nënçmojë atë, ta qëllojë atë”.

Nxënësit e moshave 14 dhe 15-vjeçare, supozohet se e kanë përshkruar Patyn dhe kanë qëndruar mbrapa sulmuesit për më shumë se dy orë jashtë shkollës, derisa është shfaqur mësuesi, ka thënë Richard.

Dy fëmijët, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë për arsye ligjore, janë dy prej shtatë personave që autoritetet franceze synojnë t’i gjykojnë për sulmin brutal.

Ky sulm ka ngjallur debate edhe në Kosovë.

Kryesia e Bashkësisë Islame në Kosovë i ka kërkuar të hënën Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, që të distancohet nga veprimi i ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ka shpërndarë në rrjetin social, Twitter, postimin e një gazetareje të së përditshmes franceze, Le Figaro, në të cilën shihet karikatura e Profetit Muhamed.

“Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mosdurimin, urrejtjen e mosbesimin ndërnjerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëjë me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë”, është thënë në deklaratën për opinion të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Publikimi i karikaturës së Profetit Muhamed nga gazeta franceze ka ardhur pas vrasjes së mësuesit francez.

Mirëpo ambasadori Gashi, ka ftuar të mërkurën secilin që dyshon se ai e ka shkelur ligjin - duke shpërndarë në rrjetet sociale një artikull për një “akt terrorist” - ta sfidojë atë në gjykatë, në Kosovë ose në Francë.

“Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj, duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidojë në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës”, tha ambasadori Gashi të mërkurën në një postim në Facebook.

Ai tha se mesazhet kërcënuese në adresë të tij “u raportohen organeve të rendit”.

Myslimanët besojnë se çdo përshkrim i Profetit është blasfemi.

XS
SM
MD
LG