Ndërlidhjet

BE-ja merr masa kundër Hungarisë për procedurat e reja të azilit


Flamuri i BE-së, foto nga arkivi.

Komisioni Evropian ka nisur procedura nga Hungarisë për shkeljet e ligjeve të Bashkimit Evropian sa i përket azilit.

BE-ja i ka dërguar njoftim zyrtar Hungarisë më 30 tetor, duke e paralajmërar Budapestin se procedurat e reja të azilit, si përgjigje ndaj pandemisë së koronavirusit, përbëjnë “zbatim të pasaktë të legjislacionit të BE-së sa i përket azilit”.

Procedurat e reja kërkojnë që shtetasit e vendeve që nuk janë pjesë e BE-së të aplikojnë fillimisht për azil në ambasadën hungareze jashtë BE-së dhe t’iu ofrohet një leje e veçantë për hyrje.

“Komisioni konsideron se ky rregull është kufizim i paligjshëm për procedurën e azilit”, pasi sipas BE-së, “përjashton personat që janë jashtë territorit të Hungarisë, përfshirë edhe në kufi, nga aplikimi për mbrojtje ndërkombëtare”.

Hungaria ka dy muaj kohë që t’i përgjigjet Komisionit Evropian.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar Hungarinë sa i përket sundimit të ligjit dhe migracionit.

Që prej krizës së migrantëve më 2015, kryeministri hungarez, Viktor Orban, vazhdimisht është përplasur me Brukselin zyrtar për politikat e migrimit.

Në muajin maj, Gjykata për Drejtësi e BE-së mori vendim kundër Hungarisë, në një rast për azilkërkuesit të cilët ishin ndaluar në një kamp në një zonë transiti, në kufi me Serbinë.

Hungaria ka mbyllur këto kampe pas vendimit të kësaj gjykate, por vazhdon të bëjë presion që të mbyllë kufijtë, pasi blloku prej 27-anëtarësh prezantoi planin e fundit për azilkërkuesit.

XS
SM
MD
LG