Ndërlidhjet

Moldavia mban zgjedhjet presidenciale


Zgjedhjet në Moldavi.
Zgjedhjet në Moldavi.

Qytetarët në Moldavi po i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Presidenti aktual, Igor Dodon – një politikan pro-rus dhe themelues i Partisë Socialiste – po përballet me shtatë sfidues në këto zgjedhje. Por, rivalja e tij kryesore konsiderohet Maia Sandu, 48-vjeçare, një politikane pro-perëndimore dhe ish-kryeministre e vendit, që udhëheqë Partinë për Veprim dhe Solidaritet.

Sondazhet sugjerojnë se Dodon ka rreth 23 për qind të mbështetjes, pasuar nga Sandu me 20 për qind. Rreth 35 për qind e votuesve janë të papërcaktuar, thonë sondazhet.

Më 2016, Dodon mposhti Sandu në raundin e balotazhit me më pak se 5 për qind të votave, në zgjedhjet që u përcollën me akuza për mashtrime.

Prej qershorit të 2019 deri në nëntor të po atij viti, Sandu ka qenë kryeministre e vendit.

Gjatë fushatës, të dy palët kanë shkëmbyera akuza se kanë pranuar ndihmë të huaj dhe se punojnë për interesa të qeverive të huaja.

Me një popullsi prej 3,5 milionë banorësh, Moldavia është njëra ndër shtetet më të varfra në Evropë dhe skena politike është e ndarë ndërmjet atyre që duan lidhje më të forta me Rusinë dhe atyre që duan të afrohen me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG