Ndërlidhjet

BE-ja nuk e komenton deklaratën e Thaçit për dialogun


Flamuri evropian.

Bashkimi Evropian nuk ka dashur të komentojë deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se, dialogu në Bruksel nuk ka kuptim nëse nuk përfshin njohjen e Kosovës.

“Ne, nuk i komentojmë deklaratat. Jemi të fokusuar në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do të adresonte të gjitha çështjet mes tyre, dhe duke qënë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së” ka thënë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

Më 2 nëntor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, do të jetë i pakuptimtë nëse nuk e trajton çështjen e njohjes reciproke.

Pas secilit takim në Bruksel, delegacioni i Kosovës ka insistuar se po diskutohet për një paketë gjithëpërfshirëse e cila do të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Por, delegacioni i Serbisë e ka quajtur si të pavërtetë këtë deklaratë, të cilën, sipas tyre, përfaqësuesit e Prishtinës e bëjnë për konsum të brendshëm.

Bashkimi Evropian dhe i dërguari i posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak nuk janë deklaruar publikisht nëse njohja e Kosovës është apo jo zgjidhja e cila po kërkohet.

BE-ja gjithmonë e ka përsëritur se, qëllimi i dialogut është marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, e cila "do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes palëve".

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011.

Së voni, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur angazhimin e tyre në këtë proces, për t’i ndihmuar palët në normalizimin e marrëdhënieve.

Në kuadër të këtyre angazhimeve, Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG