Ndërlidhjet

Kandidatja që ka mbështetur teoritë e konspiracionit fiton ulëse në Kongres


Marjorie Taylor Greene.

Një kandidate republikane, e cila ka shprehur pikëpamje raciste dhe ka mbështetur teori konspirative të ekstremit të djathtë ka fituar një ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

Ajo kandidoi në shtetin e Xhorxhias.

Marjorie Taylor Greene, e cila shprehu mbështetje për pretendimin se “tradhtarët e shtetit " po komplotojnë kundër presidentit, Donald Trump, fitoi përkrahje në fushatën e saj nga presidenti, i cili e ka quajtur atë një "yll të ardhshëm republikan".

Greene, një grua afariste dhe e porsaardhur në politikë, garoi në një rreth shumë konservator në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sfiduesi i saj demokrat, Kevin Van Ausdal, u largua nga gara papritur në shtator, duke thënë se ai po largohej nga shteti.

"Fitues i madh sot! Faleminderit për njerëzit e NW Georgia për zgjedhjen time për të luftuar për ta në Washington, DC!", shkroi ajo në Twitter.

Ajo fitoi vëmendje të madhe në rrjetet sociale, pasi në vazhdimësi ka postuar video dhe komente nxitëse.

Në postimet e saja, Greene pohonte se "bandat dhe shpërndarja e drogës" po bëhej nga burrat me ngjyrë dhe hispanikët dhe akuzoi miliarderin hebre, George Soros, për bashkëpunim me nazistët.

Ajo gjithashtu e quajti zgjedhjen e përfaqësuesve demokratë në Kongres, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar si "pushtim islamik të qeverisë ".

Ajo promovoi një teori të QAnon, në vitit 2017, por më vonë u tërhoq, duke thënë se nuk ishte pjesë e fushatës së saj.

QAnon është një teori konspiracioni, ithtarët e së cilës mbajnë pikëpamje të ekstremit të djathtë dhe pretendojnë në mënyrë të gabuar se Trump po lufton një elitë globale të satanistëve pedofilë që operojnë një rrjet të trafikut të fëmijëve.

Greene është kundërshtuar nga disa republikanë, por shumë të tjerë, përfshirë Trump dhe senatorin Kelly Loeffler, e kanë mbështetur atë.

Demokratët kanë kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA me një diferencë të madhe që nga zgjedhjet afatmesme të vitit 2018.

XS
SM
MD
LG