Telekomi i Sllovenisë, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka përmbyllur procedurat, por nuk ka zgjedhur një blerës për operatorin e telefonisë mobile IPKO, që vepron në Kosovë.
Përmes këtij njoftimi, Telekom Sllovenia tha se IPKO do të mbetet pjesë e grupit të këtij Telekomi.
Operatori i telekomunikimeve IPKO është operatori i dytë më i madh në Kosovë, pas Telekomit të Kosovës.
Në vitin 2005, Telekomi i Sllovenisë kishte përzgjedhur Kosovën për të investuar në tregun e telekomunikimeve, duke blerë aksione në ofruesin e shërbimeve të internetit në vend, IPKO.
Telekomi i Sllovenisë e kishte nxjerrë në shitje IPKO-n në korrik të vitit të kaluar.
Telekomi i Serbisë, që është 58 për qind në pronësi të shtetit serb, kishte bërë ofertën për blerjen e operator të telefonisë mobile IPKO.
Kjo ishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga ndihmësja e atëhershme e ministrit të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Irina Reljin.
“Telekomi i Serbisë është kompani serioze, e cila në rajon ka shumë filiale dhe deri më tash ka zhvilluar rrjetin në shumë shtete të rajonit. Për këtë shkak, nuk është befasi që dëshiron të zgjerojë biznesin e saj edhe në disa operatorë të tjerë”, pati thënë Reljin.
Por, anëtari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike në Kosovë (ARKEP), Shqiprim Pula, në korrik të këtij viti pati deklaruar se operatori i telefonisë mobile IPKO, nuk mund t’i shitet Telekomit të Serbisë - (Telekom Srbija), dhe po ashtu nuk mund të bëhet as bartja e të drejtës dhe detyrimeve, pa pëlqimin e ARKEP.