Ndërlidhjet

Ahmeti: Krerët e Kosovës iu përgjigjën thirrjes së drejtësisë në mënyrë dinjitoze


Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka përgëzuar krerët e Kosovës, pasi siç tha ai, iu “përgjigjën thirrjes për drejtësi në mënyrë dinjitoze”.

Ky reagim i Ahmetit vjen pas konfirmimit të aktakuzës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Sundimi i ligjit dhe drejtësia e mirëfilltë joselektive janë synime të të gjithë neve andaj dhe përgëzoj krerët e Kosovës që iu përgjigjën thirrjes së drejtësisë në mënyrën më dinjitoze dhe ju uroj kthim sa më të shpejtë në detyrat e tyre që i presin”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është intervistuar nga prokurorët e specializuar të Gjykatës Speciale.

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë konfirmuar aktakuzën kundër, presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit menjëherë pas konfirmimit të aktakuzës. Ngjashëm ka vepruar edhe Kadri Veseli, i cili ka njoftuar se ka vendosur që të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë të zgjasë ky proces.

Të mërkurën edhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi iu është konfirmuara aktakuza dhe tashmë janë transferuar në Hagë.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG