Ndërlidhjet

LDK: Kosova po kalon në një situatë të vështirë institucionale


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se Kosova po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, sipas kësaj partie –që është subjekti më i madh politik në koalicionin aktual qeverisës –kërkon edhe unifikimin e vendime të "përgjegjshme politike dhe institucionale".

Ky reagim i LDK-së vjen pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuar në Hagë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe më pas dorëheqjes së tij.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi edhe zyrtarisht postin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës pasi që Hashim Thaçi, të enjten, dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.

LDK-ja thotë është e bindur se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur dhe apelon që institucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm.

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë konfirmuar aktakuzën kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

Dhomat e Specializuara më 24 prill njofuan se Thaçi dhe Veseli dhe të tjerët, akuzohen për një sërë krimesh të pretenduara kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG