Ndërlidhjet

Përfundon bastisja në shtëpinë e Thaçit


Pjesëtarë të policisë para shtëpisë së ish-presidentit Hashim Thaçi, 6 nëntor, 2020.

Bastisja në shtëpinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar, njoftoi në orët e pasdites avokati i tij, Dastid Pallaska.

“Bastisja është kryer. Sa u përket qëllimeve të bastisjes, mund të them se ishin jashtëzakonisht të përgjithshme. Rrjedhimisht, nuk dukej se kishte ndodnjë shënjestrim të duhur të bastisjes, që është parakusht procedurial për urdhrimin e saj”, tha Pallaska për gazetarët në Prishtinë.

“Kjo bastisje sugjeron se aktakuza kundër Thaçit, ashtu siç është konfirmuar, mbetet një shënjestër në lëvizje, përkatësisht duket se prokuroria ende kërkon prova për ta mbështetur një aktakuzë që tanimë e ka ngritur”, shtoi Pallaska.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi të premten se është duke kryer disa operacione në Kosovë, me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.

Bastisje në shtëpitë e Thaçit, Veselit dhe Selimit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:05 0:00

Policë dhe pjesëtarë të EULEX-it u panë para shtëpisë së Thaçit në Çagllavicë, afër Prishtinës, dhe pranë zyrave të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Të enjten, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Po ashtu të enjten, Thaçi, Veseli dhe Selimi janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndërsa Krasniqi është transferuar atje një ditë më parë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG