Ndërlidhjet

Hoxhaj: Çështja e zgjedhjes së presidentit ka kohë dhe hapësirë


Ilustrim

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha në një konferencë për media të premten se konfirmimi i aktakuzës ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, flet për “një situatë të rëndë jo vetëm për Kosovën dhe aspiratat e saj shtet-ndërtuese”, por “edhe për PDK-në”.

“Çështja e zgjedhjes së presidentit është çështje që ka kohë dhe hapësirë dhe ne mendojmë se, mbi të gjitha, është pyetje për partnerët e koalicionit. Ata që e kanë shumicën në Kuvendin e Kosovës, duhet të marrin qëndrim për një temë të tillë”, tha Hoxhaj.

“Shqetësimin që e kemi është se qytetarët e Kosovës, pas një viti të të qëndruarit të PDK-së në opozitë, e kanë parë se ajo çka ofrojnë të tjerët është jostabilitet, josiguri, joparashikueshmëri. Vetëm ne jemi shtylla e së ardhmes dhe e stabilitetit që mund t’i ofrohet Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ai bëri thirrje për maturi dhe unitet, duke thënë se të gjithë duhet të veprojnë në interes të mbrojtjes së të arriturave të Kosovës dhe të mos lejojnë vakuum, krizë politike apo institucionale.

Më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Njëjtë veproi edhe kreu i deritanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili pas konfirmimit të aktakuzës, tha se do të heqë dorë nga të gjitha funksionet.

Më 5 nëntor, përveç Thaçit dhe Veselit, në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës, u transferua edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor, në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara u dërgua edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nën akuzat për krime lufte.

Pas dorëheqjes së Thaçit, në bazë të kompetencave kushtetuese, ushtruese e detyrës së presidentit u bë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një adresim bëri thirrje për unitet dhe tha se në këtë kohë të vështirë nëpër të cilën po kalon Kosova, duhet “lidership i fuqishëm”.

XS
SM
MD
LG