Ndërlidhjet

Irani i bën thirrje administratës së ardhshme amerikane të mësojë nga sanksionet


Presidenti i Iranit, Hassan Rohani.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani.

Presidenti iranian, Hasan Rohani ka thënë të shtunën se shpreson që administrata e ardhshme amerikane ka marrë mësimin se sanksionet nuk mund ta gjunjëzojnë Teheranin ndaj politikës amerikane, transmeton AFP.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka aplikuar politikë me “presion maksimal” dhe sanksione të ashpra kundër Iranit, prej kur është larguar më 2018 nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

”Ne shpresojmë që përvoja trevjeçare do të jetë mësim për administratën e ardhshme të Amerikës, që të veprojë sipas ligjeve dhe rregulloreve dhe t’iu rikthehet përkushtimeve”, ka thënë Rohani në një fjalim televiziv.

“Njerëzit tanë janë përballur me terrorizëm ekonomik në tre vjetët e fundit”.

Republika Islamike ka shpresuar se “këto sanksione do t’i vetëditësojnë zyrtarët amerikanë se rruga e tyre është e gabuar dhe se ata nuk do t’i përmbushin qëllimet e tyre në atë mënyrë”.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se do të fokusohen në politikat e administratës së ardhshme amerikane, sesa në atë se kush bëhet president.

Teherani ka theksuar se kthimi i mundshëm i SHBA-së në marrëveshjen bërthamore duhet të përcillet me kompensimet për dëmet e shkaktuara si pasojë e tërheqjes nga marrëveshja, si dhe të ofrohen “garanci” se një gjë e tillë nuk do të përsëritet.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë të martën se zgjedhjet amerikane nuk do të kenë efekt në politikat e Teheranit ndaj Uashingtonit.

Zgjedhjet amerikane janë mbajtur më 3 nëntor të këtij viti. Presidenti aktual, Donald Trump ka garuar kundër kandidatit demokrat, Joe Biden.

Ky i fundit aktualisht është në epërsi, ndonëse votat janë ende duke u numëruar.

Shkalla rekorde e votimeve me postë këtë vit në Shtetet e Bashkuara, ka qenë rezultat i përhapjes së koronavirusit, andaj votuesit u janë shmangur radhëve të gjata nëpër qendra votimit në ditën e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG