Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës thotë se ka rritur kapacitetet shëndetësore për përballje me pandeminë


Qendra Klinike Universitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë "të gjitha veprimet e nevojshme për tu përballur me pandeminë COVID-19".

Në një komunikatë për media thuhet se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitale rajonale është ngritur në nivelin më të lartë mobilizimi i stafit shëndetësor, janë rritur kapacitetet me shtretër, janë rritur kapacitetet për furnizim me oksigjen si dhe janë ndërmarrë veprime të tjera.

“Të gjithë duhet të ndihmojmë mjekët dhe infermierët tanë të përballen me këtë gjendje duke respektuar masat e propozuara nga IKSHP (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike), të cilat i ka ndërmarrë Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Qeveria bënë të ditur se është funksionalizuar edhe objekti i Mjekësisë Sportive ku janë vendosur edhe 101 shtretër shtesë për pacientë me COVID-19. Në këtë përiudhë, Qeveria e Kosovës thotë se janë rritur testimet në mbi 2,000 në ditë, dhe sipas saj, pothuajse kushdo që ka nevojë, arrin të testohet brenda ditës.

Megjithatë, disa qytetarë në Kosovë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, po hasin në vështirësi për të kryer një test PCR.

Njëra nga to është Lindita Mulaj, e cila duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se procedura deri te testimi është e komplikuar. Gazetarja e Radios Evropa e Lirë e ka takuar Linditën në oborrin e Institutit Kombëtar, aty ku edhe po testohen qytetarët. Ajo shpjegon në hollësi si ka arritur ta kryejë testin PCR.

“Unë me simptoma kam pritur tri ditë. Por, megjithëkëtë, prapë me të njohur kam arritur deri këtu në IKSHP. Kjo për shkak se për ta marrë udhëzimin duhet të kesh temperaturë. Unë nuk kam temperaturë, por kam simptoma tjera dhe jam e bindur që jam infektuar meqë jam rast kontakti dhe kam simptome tjera, si kollë e dhimbje fyti’’, tha ajo.

Që nga fillimi i pandemisë më 13 mars të këtij viti deri më 14 nëntor, në Kosovë janë infektuar 28.616 persona prej të cilëve 17.055 janë shëruar ndërsa 809 kanë vdekur.

Në ditët e fundit ka pasur një rritje të numrit të të infektuarve duke detyruar autoritetet të vendosin masa kufizimi në lëvizje në disa komuna të vendit.

XS
SM
MD
LG