Ndërlidhjet

Jep dorëheqje ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të Trepçës, emërohet i riu


Minatorët në minierën e Stantërgut. Fotografi nga arkivi.
Minatorët në minierën e Stantërgut. Fotografi nga arkivi.

Ushtrues detyre i drejtorit të Bordit të ndërmarrjes "Trepça" do të jetë Enes Muzaqi i cili ka qenë anëtar i Bordit.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Shyqyri Sadiku, një anëtar i Bordit.

Emërimi i Muzaqit vjen pas dorëheqjes se Hysen Vrajollit nga kjo pozitë. Më herët të enjten, Vrajolli ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ka dhënë dorëheqje pas ngjarjeve që po ndodhin në Trepçë.

"Pas ngjarjeve që kanë ndodhur në Trepçë kam paraqitur dorëheqjen”, ka thënë shkurt , Vrajolli.

Që nga mëngjesi, minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë hyrë në grevë brenda minierës, Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani, nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Ai tha se me gjithë paralajmërimin e Qeverisë se janë ndarë 1 milion euro për Trepçën, ato nuk janë alokuar në xhirollogarinë e ndërmarrjes dhe punëtorët nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

“Për momentin janë 200 minatorë brenda minierës. Ata janë ndarë në horizonte dhe kanë thënë se nuk do të dalin nga greva derisa t'i marrin pagat”, tha Osmani.

Qeveria e Kosovës, më 13 nëntor ka konfirmuar se ka ndarë më shumë se një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për t'i tejkaluar problemet financiare në të cilat ndodhet aktualisht kjo kompani.

Në një bisedë më herët për Radion Evropa e Lirë, Vrajolli pati thënë se kjo ndërmarrje ka një borxh prej rreth pesë milionë eurosh ndaj Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) dhe operatorëve tjerë.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

XS
SM
MD
LG