Ndërlidhjet

Kosovë: Mbi 800 qytetarë gjobiten për shkeljen e masave kundër koronavirusit


Policia e Kosovës, foto nga arkivi.
Policia e Kosovës, foto nga arkivi.

Në 24-orët e fundit, 820 qytetarë janë gjobitur nga Policia e Kosovës për shkak se nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet shtetërore, që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit të ri.

12 nëntor, në Kosovë u miratuan masat e reja kundër koronavirusit, ku përshihet edhe kufizimi i qarkullimit të qytetarëve, bazuar në tri zona, varësisht nga numri i infektimeve që kanë komunat. Ndërkq, më 20 nëntor, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kufizimet e qarkullimit do të vlejnë edhe për tetë komuna të tjera.

Komunat në Kosovë janë ndarë në tri zona: e kuqe (me rrezik të lartë, ku ka mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës), të verdhë (me rrezik të mesëm, që kanë prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë) dhe zona e gjelbër (me rrezik të ulët, ku janë prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës).

Në zonën e kuqe janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica. Në këtë zonë, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve si dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.

Në zonën e verdhë bëjnë pjesë 14 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malishevë, Suhareka, Novobërda, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Kllokoti, Rahoveci dhe Skenderaj. Në këto komuna, operatorëve ekonomikë u lejohet puna nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Pas këtij orari, shërbimet e hotelierisë dhe gastronomisë mund të punojnë me shërbimin “merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë 6 komuna: Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit. Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.

Prej 13 marsit – kur u paraqitën rastet e para me koronavirus – e deri më 20 nëntor, në Kosovë janë regjistruar 32.877 raste me koronavirus. Prej tyre, 885 pacientë kanë vdekur, 19.772 janë shëruar, ndërkaq, raste aktive janë 12.220.

XS
SM
MD
LG