Ndërlidhjet

Donatorët ndajnë 3 miliardë dollarë ndihmë për Afganistanin vitin e ardhshëm


Pamje nga Kabuli.

Qeveritë nga e gjitha bota kanë premtuar 3 miliardë dollarë ndihmë për Afganistanin vitin e ardhshëm dhe kanë lënë të hapur mundësinë për fonde të ngjashme për tre vjetët e ardhshëm, ka thënë Ministri finlandez për Zhvillim dhe Tregti, Ville Skinnari në një konferencë të organizuar për këtë gjë.

Shuma totale do të mund të shkojë në rreth 12 miliardë dollarë, ka njoftuar Sinnari në Gjenevë.

Kjo shumë është më pak sesa 15 miliardë dollarë, për sa ishte bërë zotim në një konferencë paraprake për Afganistanin më 2016.

Ministri i Jashtëm afgan, Mohammad Haneef Atmar, ka mirëpritur nivelin e ndihmës, duke përmendur se një gjë e tillë vjen teksa shtetet janë duke u përballur me krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

“Kjo gjë përbën zemërgjerësi të jashtëzakonshme”, ka thënë mes tjerash ai.

Konferenca është mbajtur teksa në Afganistan mbizotëron një situatë komplekse, 19 vjet pasi koalicioni ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar qeverinë e talibanëve, që ka mbështetur Al-Kaidën.

Militantët talibanë dhe qeveria afgane janë të përfshirë në bisedimet për paqe në Katar, ndërkohë që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump së fundmi ka njoftuar për një tërheqje të re të forcave amerikane në Afganistan.

Komuniteti ndërkombëtar ka ngritur shqetësime se përparimi në disa fusha, sidomos në atë për të drejtat e grave, mund të përmbyset nga kryengritjet e talibanëve, korrupsioni i lartë dhe tërheqja e trupave amerikane.

XS
SM
MD
LG