Ndërlidhjet

Opozita kritikon qeverinë për menaxhimin e pandemisë  


Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës plenare të së hënës, e kritikuan qeverinë për menaxhimin e situatës epidemiologjike në Kosovë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se Klinika e Pulmologjisë të dielën ka paralajmëruar se ka mungesë të furnizimeve me oksigjen.

Haxhiu, partia e së cilit është në opozitë, i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, që të vizitojë Qendrën Klinike Universitare dhe spitalet ku trajtohen pacientët me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

“Janë buzë kolapsit, situata është alarmante”, tha Haxhiu.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, tha se qeveria duhet të fokusohet te trajtimi, duke shtuar se qytetarët nuk po kanë mundësi të trajtohen për shkak të shpenzimeve enorme.

“Në QKMF (Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare) nuk jepet asgjë nga terapia, ndërsa milionat po shkojnë sektorit privat. Nuk kam asgjë kundër, por shkoni shikoni, bëni një analizë sa shpenzime bëhen në baza ditore nga xhepi i varfër i qytetarëve. Mbulojeni së paku kategoritë në nevojë”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se Kosova nuk është para kolapsit, por është në gjendje emergjente shëndetësore sa i përket situatës epidemiologjike. Hoti tha se të gjitha klinikat janë riorganizuara, në mënyrë që të përballen me valën e dytë të pandemisë.

“Kemi ndërmarrë masat e nevojshme sikurse çdo vend në rajon edhe në BE-në. E kemi përmirësuar furnizimin me barna, është dukshëm më i mirë tani kur po flasim, por kam parasysh se plotë familje shpenzojnë edhe nga xhepi i tyre”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se Kosova po e ndanë “fatin e vendeve të tjera”.

“Po punojmë shumë në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 përtej sasisë që na është garantuar”, shtoi Hoti.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se gjendja në Kosovë “është e rënduar si pasojë e rritjes dhe shpërndarjes së infeksionit edhe në rajon, edhe në vendet evropiane”.

“Por, ajo çka mundem t’ju garantoj është kjo: asnjë pacient në Republikën e Kosovës nuk ka mungesë të trajtimit, qoftë spitalor, qoftë klinik apo edhe dhënies apo marrjes së shërbimeve”, tha Zemaj. Ai shtoi se Kosova ka “vdekshmërinë më të ulët edhe në rajon edhe në botë”. Ministri Zemaj tha po ashtu se gjatë kësaj jave do të dhjetëfishohen kapacitetet testuese.

Që prej 13 marsit – kur u regjistruan rastet e para– e deri më 29 nëntor në Kosovë janë regjistruar 39.057 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,005 pacientë kanë vdekur dhe raste aktive janë 13,625. Numri total i rasteve pozitive është 39.057 raste nga 142.769 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.005 raste të vdekjes.

XS
SM
MD
LG