Ndërlidhjet

SHBA-ja ndërprenë disa programe me Kinën


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Departamenti amerikan i Shtetit ka ndërprerë pesë programe të shkëmbimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, duke thënë se ato funksiononin si mjete të propagandës për Pekinin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, përmes një deklarate tha se programet ishin “fshehur” si “shkëmbime kulturore” nëpërmjet Aktit për Shkëmbime të Arsimit dhe Kulturës (MECEA).

“Derisa programet e tjera janë themeluar nën MECEA dhe kanë përfitime të dyanshme, pesë programet në fjalë financohen plotësisht dhe operohen nga Qeveria e Kinës si mjete të buta të propagandës”, tha Pompeo.

MECEA lejon punonjësit e Qeverisë amerikane që të udhëtojnë duke përdorur fondet e qeverisë së huaj.

Pompo tha se pesë programet që janë ndërprerë “kanë ofruar qasje për zyrtarët e Partisë Komuniste kineze dhe jo për popullin kinez, i cili nuk gëzon lirinë e fjalës dhe tubimit”.

Vendimi për ndërprerjen e këtyre programeve është shembulli i fundit i marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet SHBA-së dhe Kinës.

Këto dy shtete janë në një luftë tregtare të nisur nga presidenti Donald Trump dhe kritikave që Uashingtoni i bën Pekinit lidhur me liritë në Hong Kong. Po ashtu, SHBA-ja ka kritikuar Kinën lidhur me menaxhimin e pandemisë si dhe për trajtimin që iu bën ujgurëve dhe grupeve të tjera të pakicave myslimane.

Ndër programet e ndërprera është edhe programi për udhëtime për politikëbërje në fushën e arsimit si dhe programi i miqësisë SHBA-Kinë.

Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin programet e shkëmbimit kulturor me Kinën që janë fer, por ai shtoi se është kundër programeve që përfiton vetëm njëra palë “siç ishin këto që u ndërprenë”.

XS
SM
MD
LG