Ndërlidhjet

Irani do të shqyrtojë rastin e tre të rinjve të dënuar me vdekje


Ilustrim.

Gjykata Supreme e Iranit tha se do të rishikojë rastet e tre të rinjve, të cilët janë dënuar me vdekje në lidhje me protestat anti-qeveritare në nëntorin e vitit 2019.

“Rasti do të rishikohet nga një tjetër tribunal”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme, ku nuk jepen më shumë detaje.

Tre burrat u dënuan me vdekje më herët gjatë vitit 2020, pasi u gjetën fajtorë për “bashkëpunim për të rrezikuar sigurinë kombëtare” dhe “shkatërrim apo zjarrvënie ndaj pronës publike me qëllim që të sulmohet sistemi politik i Republikës Islamike”, kanë thënë avokatët e tyre.

Por, në korrik Irani pezulloi ekzekutimin e tyre, për shkak të zemërimit të publikut.

Të dënuarit janë identifikuar si Amirhossein Moradi, Mohammad Rajabi dhe Saeed Tamjidi – që të tre në të 20-tat – dhe ishin arrestuar gjatë protestave lidhur me rritjen e çmimit të karburanteve, protesta këto që shpejt u kthyen në politike, ku protestuesit kërkuan shkarkimin e zyrtarëve të lartë shtetëror.

Organizatat për të drejtat e njeriut fillimisht deklaruan se dënimi me vdekje i këtyre tre të rinjve u bë me qëllim që të frikësoheshin protestuesit e tjerë dhe protestat të ndaleshin.

Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të paktën 300 persona janë vrarë dhe mbi 7,000 janë arrestuar gjatë protestave, që u mbajtën në më shumë se 100 qytete në mbarë Iranin. Ata kanë akuzuar autoritetet iraniane për brutalitet ndaj protestuesve.

XS
SM
MD
LG