Ndërlidhjet

Trusti: Aplikimi për 10 përqindëshin, vetëm online


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës, që njihet si Trusti pensional, ka njoftuar se aplikimi për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga kontributdhënësit mund të bëhet vetëm online.

Përmes një njoftimi në rrjetin social, ky fond ka theksuar se tërheqja e 10 për qind të kursimeve është dekretuar sot, si pjesë e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

“Aplikimi për tërheqje të 10 për qind do të bëhet vetëm online dhe përmes një faqeje të veçantë interneti. Pra, nuk keni nevojë që tani të krijoni qasje në Trusti. Adresa e faqes së veçantë të internetit për aplikim të tërheqjes së 10 për qind dhe detajet tjera do të publikohen ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e Fondit të Kursimeve Pensionale i Kosvës.

Gjithashtu, në njoftim është theksuar që për aplikim janë në dispozicion 4 muaj dhe u kërkohet kontributdhënësve që të mos u brengosen në rast se nuk do të mund të aplikojnë që në ditët e para pas dekretimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës, më 4 dhjetor, është dekretuar nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe tashmë si ligj do të nisë të zbatohet pasi që të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ky ligj parasheh që kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Sipas këtij ligji, kontributpaguesit që kanë kursime pensionale deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 për qindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensojë atë brenda pesë vjetëve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG