Ndërlidhjet

Irani dhe Pakistani janë mes 10 vendeve që shkelin liritë fetare, thotë SHBA-ja


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Shtetet e Bashkuara më 7 dhjetor përfshinë Iranin, Pakistanin, Taxhikistanin dhe Turkmenistanin në një listë prej 10 vendesh të kategorizuara për "shqetësim të veçantë" mbi lirinë fetare.

Lista u shpall nën Aktin Ndërkombëtar të Lirisë Fetare të vitit 1998 "për përfshirje ose tolerim të shkeljeve sistematike, të vazhdueshme, dhe të ashpër të lirisë fetare", tha Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një njoftim për media.

Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu Rusinë dhe tre vende të tjera në një Listë Vëzhgimi të Posaçëm. Në këtë listë janë vendet, qeveritë e së cilave, kanë përfshirë ose toleruar "shkelje të rënda të lirisë fetare". Shtetet e Bashkuara "edhe një herë morën masa për të mbrojtur ata që thjesht duan të ushtrojnë këtë liri thelbësore", tha Pompeo.

"Shtetet e Bashkuara janë të palëkundura në angazhimin e tyre për lirinë fetare. Asnjë vend ose entitet nuk duhet të tolerohet të ndëshkojë njërëzit për shkak të besimit të tyre. Këto përcaktime vjetore tregojnë se kur liria fetare sulmohet, ne do të veprojmë", shtoi Pompeo.

Vendet e caktuara për "shqetësim të veçantë" janë: Mianmari (ish-Burma), Kina, Eritrea, Irani, Nigeria, Koreja e Veriut, Pakistani, Arabia Saudite, Taxhikistani dhe Turkmenistani. Vendet e vendosura në Listën e Veçantë të Vëzhgimit janë: Komoret, Kuba, Nikaragua dhe Rusia. Pompeo gjithashtu tha se Al-Kaeda, Shteti Islamik dhe talibanët ishin midis disa grupeve ekstremistë militantë të caktuar si subjekte të "një shqetësimi të veçantë".

Njoftimi gjithashtu tha se Uzbekistani dhe Sudani janë hequr nga Lista Speciale e Vëzhgimit bazuar në "progres të rëndësishëm dhe konkret" nga qeveritë e tyre gjatë vitit të kaluar.

"Reformat e tyre të guximshme të ligjeve dhe praktikave të tyre qëndrojnë si modele për t'u ndjekur nga kombet e tjera", tha Pompeo.

XS
SM
MD
LG