Ndërlidhjet

Të premten nis aplikimi për tërheqjen e mjeteve nga Trusti


Ndërtesa e Trustit. Fotografi nga arkivi.

Më 11 dhjetor 2020, do të fillojë aplikimi i kontributpaguesve për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës(FKPK), tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kjo mundësi është krijuar në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili është miratuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, së bashku me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, anëtarin e Bordit Drejtues të FKPK-së, Ruzhdi Morina dhe Sokol Havollin, zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, tha se këto institucione kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar aplikimin.

Aplikimi për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga kontributdhënësit mund të bëhet vetëm online përmes një faqeje të veçantë interneti.

“Sistemi në bazë të përgatitjeve është plotësisht i sigurt dhe mund të përballojë çfarëdo fluksi që mund të ketë nga ana e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve”, tha kryeministri Hoti.

Kurse Ruzhdi Morina nga Fondi i Kursimeve Pensionale, tha se para festave të fundvitit, besohet se do të ndodhin pagesat për mjetet e tërhequra.

Në bazë të Ligji për rimëkëmbje ekonomike, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme.

Kurse kontribuuesit që kanë mbi10 mijë euro nuk do të kompensohen.

XS
SM
MD
LG