Ndërlidhjet

BE: Në Bosnje, jeta e mbi 2.000 migrantëve është në rrezik


Bashkimi Evropian (BE) i kërkoi Bosnje dhe Hercegovinës të sigurojë që mijëra migrantë dhe refugjatë të strehohen në ambiente të duhura, për shkak të kushteve aktuale të motit.

"Kushtet aktuale të motit rrezikojnë seriozisht jetën e mbi 2.000 personave që flenë jashtë në kushte të vështira dhe të 1.300 personave të vendosur në objektin e përkohshëm Lipa, i cili është i papërshtatshëm për dimër", tha në një deklaratë delegacioni i BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë.

"Kriza humanitare po bëhet një realitet për shkak të mungesës së veprimit të autoriteteve. Ne i nxisim ato të veprojnë me urgjencën më të madhe për të shpëtuar jetë", shtoi deklarata.

BE-ja vlerëson se situata me pandeminë e koronavirusit po e përkeqësonte situatën.

Një kamp refugjatësh në qytetin veriperëndimor të Bihaçit u mbyll në shtator nga autoritetet lokale në përgjigje të presionit në rritje nga banorët lokalë. Këtë veprim delegacioni i BE-së e përshkroi si "të paligjshëm".

Brukseli kishte siguruar "mbështetje të konsiderueshme financiare dhe teknike" për autoritetet lokale për të "menaxhuar më mirë" situatën, tha delegacioni.

Që nga viti 2018, dhjetëra mijëra migrantë dhe refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika kanë mbërritur në Bosnjë, duke kërkuar një jetë më të mirë në Evropë. Në fillim të këtij muaji, ministria e Sigurisë e Bosnjës tha se më shumë se 6.600 migrantë ishin strehuar në një numër qendrash pritjeje në të gjithë vendin.

XS
SM
MD
LG