Ndërlidhjet

Një gazetare afgane vritet bashkë me shoferin e saj


Gazetarja e vrarë afgane, Malala Maiwand.
Gazetarja e vrarë afgane, Malala Maiwand.

Një gazetare afgane dhe shoferi i saj u vranë të enjten nga sulmues të paidentifikuar në provincën Nangarhar.

Zëdhënësi i provincës, Attaullah Khogyani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Malala Maiwand, folëse në Televizionin Enikass, u vra së bashku me shoferin, gjatë rrugës për në punë, në qytetin Xhalalabad.

Maiwand ka punuar për televizionin privat për rreth tetë vjet.

Ajo ka qenë edhe aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve në Afganistan.

Sediq Sediqii, zëdhënës i presidentit afgan, Ashraf Ghani, tha se vrasja e Maiwandit “është një sulm tronditës dhe i neveritshëm terrorist”.

“Dhuna e pakuptimtë kundër njerëzve tanë duhet të marrë fund”, shkroi ai në Twitter.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë asnjë grup.

Edhe militantët talibanë, edhe ata të grupit Shteti Islamik janë aktivë në provincën që kufizohet me Pakistanin.

Vrasja e Maiwandit vjen vetëm pak javë pasi gazetari i Radios Evropa e Lirë, Mohammad Ilyas Dayee, ka vdekur në provincën jugore të Helmandit, pas shpërthimit të një bombe të vendosur në makinën e tij.

Sipas Reporterëve pa Kufij - organizatë për lirinë e mediave - Afganistani është një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët.

Së paku dhjetë gazetarë dhe punonjës të tjerë të mediave janë vrarë vitin e kaluar në Afganistan.

XS
SM
MD
LG