Ndërlidhjet

BE me rregulla më të ashpra kundër përmbajtjes terroriste në internet


Bruksel
Bruksel

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian arritën të enjten një marrëveshje për rregulla më të ashpra kundër përmbajtjes terroriste në internet.

Rregullat përfshijnë detyrimin për platformat që t’i heqin materialet me përmbajtje të tillë brenda një ore - në të kundërtën, rrezikojnë gjoba të mëdha.

“Marrëveshja e sotme është e rëndësishme për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve të ardhshme”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, pasi shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian finalizuan rregulloren e propozuar.

“Që nga sulmet në Paris [më 2015], ne e kemi vënë sigurinë e evropianëve në krye të agjendës së BE-së. Për të mbrojtur kufijtë tanë dhe për të parandaluar terrorizmin. Tani e kemi shtuar edhe një pjesë tjetër: heqjen e përmbajtjes terroriste nga interneti”, tha përmes një postimi në Twitter Partia Popullore Evropiane, që është grupi më i madh në Parlamentin Evropian.

Propozimi i Komisionit Evropian, në të cilin janë bazuar negociatat, ka paraparë ndëshkime deri në 4 për qind të shitjeve globale të kompanive, në vitin e fundit biznesor.

Kjo mund të përkthehet në miliona apo edhe miliarda euro për disa kompani, të tilla si Facebook ose Google.

Facebook pretendon se e heq përmbajtjen terroriste shumë më shpejt seç parashikojnë rregullat e reja.

Marrëveshja për rregulla të reja vjen pas disa sulmeve terroriste që kanë goditur së voni Francën dhe Austrinë.

Të mërkurën, Komisioni Evropian ka prezantuar një strategji të re kundër terrorizmit dhe udhëheqësit e BE-së pritet ta diskutojnë atë në një samit në Bruksel, më 11 dhjetor.

XS
SM
MD
LG