Ndërlidhjet

Jep dorëheqje ministri i Brendshëm pas vrasjes së Klodian Rashës


Protesta në Shqipëri pas vrasjes së Klodian Rashës.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, dha dorëheqje pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një polic në një lagje të Tiranës, dy ditë më parë.

Në një postim në Facebook, ku njoftoi për dorëheqjen e parevokueshme, Lleshaj tha se “vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike”.

“Përgjatë më shumë se dy vjetëve në krye të Ministrisë së Brendshme u përpoqa dhe arrita të ndryshoj për të mirë shumë gjëra dhe e mbyll misionin tim me rekordet më të mira historike në fushën e rendit dhe të sigurisë publike në 30 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë”, tha Lleshaj.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi se Lleshaj ia ka dorëzuar dorëheqjen.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, ministri i Brendshëm më ka informuar dhe më ka vënë në dispozicion dorëheqjen e tij. Jo vetëm për të larë gojën, por për të më shpjeguar se pse tërheqja e tij nga posti i lartë është rruga e duhur për të personalisht”, tha Rama.

Kryeministri e ngushëlloi familjen e Klodian Rashës, duke thënë se rasti ishte i izoluar, por “arma ishte e shtetit”.

Ai tha se ka besim tek autoritetet përkatëse që të vendosin drejtësi.

“Efektivi që shkrepi armën kundër Klodianit është vetëm një përjashtim tragjik që përforcon rregullin e konsoliduar në tërë këto vite, se Policia e Shtetit është mbrojtëse e qytetarëve, e jo kërcënim për jetën, për të drejtat dhe liritë e tyre”, shtoi Rama.

Në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, dhjetëra protestues u përplasën të enjten me policinë, teksa kërkuan drejtësi për 25-vjeçarin e vrarë.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe ujë në drejtim të tyre.

Një protestë u organizua edhe të mërkurën, kur nëntë efektivë policorë mbetën të plagosur nga gurët dhe sendet e forta që i hodhën protestuesit në drejtim të tyre.

Policia ka thënë se Klodian Rasha ka thyer orën policore kundër pandemisë, ka qenë i armatosur dhe ka bërë disa lëvizje të dyshimta.

Miq dhe familjarë të Rashës kanë thënë se ai nuk ka qenë i armatosur.

XS
SM
MD
LG