Ndërlidhjet

Këshilli i Evropës i bën thirrje Bosnjës që të shmangë krizën me migrantë


Migrantë në Bosnje-Hercegovinë.
Migrantë në Bosnje-Hercegovinë.

Komisionarja për të Drejta të Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq është duke ngritur alarmin për krizë humanitare në veriperëndim të Bosnjës, ku mbi 3,500 migrantë mund të përfundojnë duke fjetur në kushte të rënda dhe mot të ftohtë.

Mijatoviq ka thënë në një letër drejtuar zyrtarëve të Bosnjës që mungesa e veprimeve dhe koordinimit në mes të qeverive rrezikon lënien e pasojave të mëdha për migrantët dhe azilkërkuesit që kanë mbetur pa shtëpi, ushqim dhe kujdes mjekësor.

Aktualisht në Bosnje-Hercegovinë janë rreth 10,000 migrantë, një çerek i të cilëve kalojnë natën nëpër male, ndërtesa të braktisura dhe rrugë.

Bosnja, shtet i ndarë në baza etnike, është një nga vendet më të varfra në Evropë, andaj ka pak mundësi që të ofrojë shërbime për ta.

Mijatoviq ka bërë thirrje edhe për procedura më të shpejta për azilkërkuesit, për dhënie fund të retorikës kundër-migrimit dhe qasje më gjithëpërfshirëse për gati 500 fëmijë migrantë që janë të pashoqëruar.

Ky vend është kthyer në zonë transite për migrantët dhe refugjatët nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, prej kur shtetet e Bashkimit Evropian kanë mbyllur kufijtë për shkuarje të reja nga viti 2015.

Shumë persona nisen drejt veriperëndimit të Bosnjës, me shpresën se do të kalojnë në Kroaci, vend anëtar i bllokut evropian.

XS
SM
MD
LG