Ndërlidhjet

Gjithçka që u lejohet shqiptarëve, duhet edhe serbëve të Bosnjës, thotë Vullin


Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vullin.
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vullin.

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vullin ka thënë se “gjithçka që u lejohet shqiptarëve të Kosovës, duhet të ju lejohet edhe serbëve të Bosnjës”.

"Është e vështirë të shpjegosh pse u shpërbë Jugosllavia, por jo edhe Bosnje dhe Hercegovina. Edhe më e vështirë është që shqiptarët përpiqen të fitojnë një shtet në Kosovë, dhe serbët nuk munden në Bosnje dhe Hercegovinë. Gjithçka që u lejohet shqiptarëve do të duhet të ju lejohet edhe serbëve”, tha Vullin, transmeton agjencia Beta.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të një deklarate të ministres së Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, e cila kishte deklaruar se “shpërbërja e entiteteve të Bosnjës, duhet të bëhet me vullnetin e popullit dhe natyrisht me mbështetjen e jashtme".

Por, Vullin tha se “nëse ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës nuk njeh sistemin e Dejtonit, pse serbët do duhej ta njohin Bosnje dhe Hercegovinën?".

Republika Serbe së bashku me Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, janë dy entitete që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Ky vend është ndarë kështu me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje në vitet 1990.

Pothuajse 26 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, e cila rezultoi me rreth 100,000 njerëz të vrarë, vendi mbetet etnikisht i ndarë midis myslimanëve, serbëve dhe kroatëve.

XS
SM
MD
LG