Ndërlidhjet

Lavrov: BE-ja të kuptojë përgjegjësinë e saj për formimin e Asociacionit


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 15 dhjetor 2020.

Bashkimi Evropian duhet të jetë i paanshëm në rolin e tij si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, pas takimit në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"Pozicioni ynë është i pandryshuar. Ne jemi të përkushtuar për të kërkuar një kompromis bazuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (KB) dhe ne do të mbështesim vetëm një vendim që i përshtatet Serbisë", tha Lavrov.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, falënderoi Rusinë për mbështetjen e saj në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të shtetit serb.

Për dialogun Kosovë-Serbi, ministri i Jashtëm i Rusisë, bisedoi edhe me ministrin e Jashtëm serb, Nikolla Selakoviq.

Rusia, tha Lavrov, shpreh keqardhje që Bashkimi Evropian (BE) nuk mund të ndikojë në përmbushjen e marrëveshjeve të arritura më parë, në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, para së gjithash, për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

"Ne besojmë se një qëndrim i tillë tregon pafuqinë karshi veprimeve të Prishtinës dhe ne ende i bëjmë thirrje BE-së që të kuptojë plotësisht përgjegjësinë për përmbushjen e asaj që u ra dakord me ndërmjetësimin e saj”, tha Lavrov.

Lavrov, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare në Serbi, deklaroi se Serbia dhe Rusia kanë një qëndrim të përbashkët se parimet e së drejtës ndërkombëtare duhet të respektohen.

Pas takimit, Selakoviq dhe Lavrov nënshkruan planin e punëve të jashtme të të dy vendeve për 2021/2022.

Lavrov tha se gjatë takimit u diskutuan hapat e mëtejshëm të përbashkët të bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, OSBE-në, Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Ekonomik Euroaziatik.

Ministri i Jashtëm serb tha se kishte shkëmbyer mendime me homologun e tij rus mbi çështjen e pozicioneve të rëndësishme ndërkombëtare, "në të cilën ne shpesh ndajmë të njëjtën pikëpamje."

Ai falënderoi Federatën Ruse për mbështetjen e saj parimore ndaj Serbisë në çështjen e integritetit territorial dhe sovranitetit në nivelin ndërkombëtar.

"Bashkëpunimi midis dy vendeve tona dhe diplomacia është në një nivel jashtëzakonisht të lartë dhe numri i fushave në të cilat ekziston ai bashkëpunim po zhvillohet veçanërisht pas vizitës historike të Vladimir Putin (presidenti i Rusisë) në janar të vitit 2019", tha Selakoviq.

Lavrov arriti në Serbi pas një vizite një-ditore në Bosnje dhe Hercegovinë.

Më herët më 15 dhjetor, ai mori pjesë në një ceremoni në Varrezat e Çlirimtarëve të Beogradit, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Serbia mban lidhje të afërta me Rusinë por synon edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG