Ndërlidhjet

Shqipëria ndalon fluturimet me Britaninë e Madhe


Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Prill, 2020.

Shqipëria do të ndalojë fluturimet me Britaninë e Madhe dhe të gjithë qytetarët që vijnë nga ky vend edhe përmes rrugëve tokësore, do të detyrohen të izolohen për dy javë.

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu në një konferencë për media, tha se kjo masë është rekomanduar nga Komiteti teknik i ekspertëve, pas paraqitjes së një varianti të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe.

“Kemi vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe duke filluar nga ora 06:00 e ditës së martë, më 22 dhjetor, deri në datë 6 janar. Po ashtu, vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14-ditore për qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe që vijnë përmes fluturimeve direkte apo rrugëve tokësore”, tha Manastriliu.

Ministria Manastirliu tha se për të shmangur rritjen e rasteve të reja me koronavirus gjatë festave të fundvitit, kanë vendosur që të ketë kufizime të lëvizjes dhe të aktivitetit të bizneseve të gastronomisë.

“Kemi vendosur kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 dhjetor deri më 4 janar”, tha ajo, duke shtuar se në të njëjtën periudhë do të vlejë edhe kufizimi për punën e bareve, restoranteve dhe lokaleve të tjera që ofrojnë shërbime për klientët.

Gjatë këtij orari të kufizimit të lëvizjes, qytetarët që kanë emergjenca shëndetësore, ata që duhet të shkojnë në punë ose kanë emergjenca të tjera, mund të lëvizin. Ata që punojnë gjatë këtij orari, duhet të pajisjen me një leje përmes një platforme online, njoftoi Manastirliu.

Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër koronavirusit, Manastirliu tha se shpreson që në muajt e parë të vitit 2021 të nisë vaksinimi. Ajo tha se shteti shqiptar është në kontakt të drejtpërdrejt edhe me kompaninë Pfizer, vaksina e së cilës po administrohet në disa shtete të botës tashmë.

Po ashtu, Shqipëria është pjesë e programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, program ky që ka për qëllim që të ndihmojë shtetet e varfra të sigurojnë vaksinën.

Manastirliu tha se Shqipëria është përgatitur edhe për logjistikën që kërkohet lidhur me vaksinën, ku përfshihen edhe frigoriferët ku duhet të ruhen vaksinat, si dhe sipas saj, kanë hartuar planin për vaksinimin e qytetarëve, ku prioritet do të jenë punëtorët shëndetësor, pasuar të moshuarit.

XS
SM
MD
LG