Ndërlidhjet

Sulmi në Departamentin amerikan të Thesarit "duket se ka qenë i madh"


Ndërtesa e Departamentit amerikan të Thesarit.
Ndërtesa e Departamentit amerikan të Thesarit.

Departamenti amerikan i Thesarit, një prej agjencive qeveritare të shënjestruara në sulmin masiv kibernetik, për të cilin është fajësuar Rusia, ka pësuar shkelje serioze “ndonëse shkalla ende nuk dihet”, ka thënë senatori Ron Wyden.

Wyden, demokrat në Komitetin për Financa të Senatit, ka nisur një deklaratë duke ofruar detaje për shkeljet pasi është informuar për hakimin nga agjencia e taksave IRS dhe Departamenti i Thesarit.

Ai ka thënë se dhjetëra adresa elektronike në Departamentin e Thesarit janë prekur nga ky sulm, duke përfshirë zyrtarë të lartë.

“Thesari ende nuk i di të gjitha veprimet e kryera nga hakerët, apo se çfarë informacioni është vjedhur”, ka thënë Wyden.

Ai ka shtuar se nuk ka të dhëna që agjencia e taksave është prekur nga sulmi, apo ndonjë taksapagues.

“Megjithatë, hakimi në Departamentin e Thesarit duket se është i madh”, ka thënë senatori amerikan.

Ende nuk është bërë e qartë se çfarë kanë bërë hakerët me informacionin e siguruar, apo çfarë synojnë të bëjnë.

Departmaenti i Thesarit është një prej agjencive, departamenteve dhe kompanive të prekura nga ai që konsiderohet operacion serioz i hakimit.

Wyden ka thënë se shkeljet në Departamentin e Thesarit kanë nisur të kryhen nga muaji korrik.

Mirëpo ekspertët për siguri kibernetike besojnë se i gjithë procesi i hakimit ka nisur disa muaj më herët.

XS
SM
MD
LG