Ndërlidhjet

Kurti: Fillimisht presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses


Albin Kurti
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij do që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen sa më shpejt, por tha se në takim me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nuk ka biseduar për datën e zgjedhjeve.

“Ky ishte një këshillim paraprak dhe ne shprehëm interesimin tonë si subjekt politik që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të kemi një datë, e cila do të jetë sa më e hershme”, tha Kurti.

“Ne, së pari, duhet ta marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj mund të shpallet data e zgjedhjeve, në një hark të caktuar kohor, siç e parasheh Kushtetuta”, shtoi ai.

Kurti tha se përmes zgjedhjeve të reja do të “restaurohet legjitimiteti i institucioneve”.

"Ne jemi të interesuar që të mbahen zgjedhjet e reja dhe të parakohshme në Republikën e Kosovës, meqenëse kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejt, që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit, të restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi një qeveri të re e kompetente, e cila e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë", tha Kurti.

Osmani nisi të martën konsultat me partitë politike, pasi, më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi që zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ishte jokushtetuese.

Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Vendimi i Kushtetueses po ashtu ndalon që personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, të garojnë në zgjedhje.

Kurti, më 2018, është dënuar me kusht, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, pas takimit me Osmanin, ai tha se pret që ta shohë aktgjykimin e plotë të Kushtetueses, në mënyrë që të mund ta interpretojë saktë këtë pjesë të vendimit të Gjykatës.

XS
SM
MD
LG