Ndërlidhjet

Erdogan: Turqia do të dëshironte lidhje më të mira me Izraelin


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia do të dëshironte lidhje më të mira me Izraelin mirëpo politika izraelite ndaj palestinezëve është e “papranueshme”, ka thënë të premten presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Turqia dhe Izraeli, dikur vende mike, kanë tensionuar marrëdhëniet në vjetët e fundit. Ankaraja ka dënuar vazhdimisht pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor dhe trajtimin që u ka bërë palestinezëve.

Autoritetet turke kanë kritikuar edhe marrëveshjet e arritura së fundmi në mes të Izraelit me katër vende myslimane, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin, Sudanin dhe Marokun.

“Politika për palestinezet është vija jonë e kuqe. Është e pamundshme për ne të pranojmë politikat e Izraelit ndaj palestinezëve. Aktet e tyre të pamëshirshme janë të papranueshme”, ka thënë Erdogan para gazetarëve, transmeton Reuters.

“Nëse nuk do të kishte probleme të nivelit të lartë (në Izrael) lidhjet tona do të ishin shumë më ndryshe” ka thënë ai.

“Ne do të dëshironim që lidhjet tona t’i kishim në një tjetër pikë”.

Ministria e Jashtme izraelite nuk ka komentuar deklaratën e Erdoganit.

Autoritetet turke dhe ato izraelite kanë dëbuar ambasadorët e njëra-tjetrës më 2018, pasi forcat izraelite kanë vrarë dhjetëra palestinezë në përleshjet në Rripin e Gazës.

XS
SM
MD
LG