Ndërlidhjet

Trump nuk e nënshkruan paketën e ndihmës ekonomike


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Miliona amerikanë humbën përkohësisht përfitimet nga të qenët të papunë, pasi presidenti Donald Trump nuk e nënshkroi paketën për ndihmë.

Kjo paketë, në vlerë prej 900 miliardë dollarësh, është miratuar nga Kongresi javën e kaluar, për t’i ndihmuar qytetarët që kanë mbetur pa punë, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Shpërndarja e mjeteve të saj do të bëhej vetëm pasi të nënshkruhej në ligj nga presidenti.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paralajmëroi për “pasoja shkatërruese” nëse Trump vazhdon ta shtyjë nënshkrimin, por afati i së shtunës tashmë ka kaluar.

“Është një ditë pas Krishtlindjeve dhe miliona familje nuk e dinë nëse do të jenë në gjendje t’i përmbushin nevojat, për shkak të refuzimit të presidentit Donald Trump për të nënshkruar paketën e ndihmës ekonomike, të miratuar nga Kongresi, me shumicë dërrmuese dhe dypartiake”, tha Biden.

Trump tha se dëshiron t’iu japë njerëzve pagesa më të mëdha.

Paketa aktuale parasheh 600 dollarë në muaj për amerikanët që fitojnë më pak se 75,000 dollarë në vit.

Trump tha se dëshiron që amerikanët të marrin nga 2,000 dollarë në muaj, por republikanët në Kongres kanë refuzuar të pajtohen për këtë ndryshim.

Në një postim në Twitter, të shtunën vonë, Trump e mbrojti pozicionin e tij në këtë çështje dhe fajësoi Kinën për shpërthimin e koronavirusit.

XS
SM
MD
LG