Ndërlidhjet

Varianti i ri i koronavirusit i pranishëm në Gjermani që nga nëntori


Disa qytetarë ecin me maska mbrojtëse në Gjermani.
Disa qytetarë ecin me maska mbrojtëse në Gjermani.

Varianti i ri i koronavirusit, që u zbulua në Britani të Madhe, ka ekzistuar në Gjermani që nga muaji nëntor, thanë zyrtarët shëndetësorë të martën, pasi e zbuluan atë, te një pacient i cili kishte vdekur në veri të vendit.

Studiuesit ishin "në gjendje të zbulonin variantin e virusit B1.1.7 në një person të infektuar në nëntor të këtij viti", tha ministria e Shëndetësisë e Saksonisë së Ulët në një deklaratë, raporton AFP.

Ky është i njëjti lloj "përgjegjës për një pjesë të madhe të të infektuarve në jug të Anglisë", tha deklarata.

Varianti i ri u gjet në një pacient të moshuar i cili ka vdekur nga sëmundja COVID-19. Gruaja e tij gjithashtu ishte e infektuar, por ka mbijetuar.

Çifti u infektua pasi vajza e tyre u kthye nga një udhëtim në Britani të Madhe në mes të nëntorit, ku ajo "sipas të gjitha gjasave" u infektua me variantin e ri, thanë autoritetet shëndetësore.

Rezultatet u konfirmuan nga një ekip në spitalin Charite të Berlinit, i cili përfshinte virologun e lartë gjerman, Christian Drosten.

Gjermania kishte raportuar më parë vetëm një rast me variantin e ri të koronavirusit.

Britania e Madhe lëshoi alarmin në fillim të këtij muaji mbi variantin e ri, për të cilin autoritetet thonë se është dukshëm më ngjitës. Shqetësimet lidhur me këtë variant kanë nxitur shumë vende të ndërpresin udhëtimin nga dhe për në Britani të Madhe.

Që atëherë, variant i ri është zbuluar në disa vende tjera, duke përfshirë Portugalinë, Francën, Jordaninë dhe Korenë e Jugut. Gjermania ka ndaluar udhëtimet nga Britania e Madhe deri më 6 janar.

XS
SM
MD
LG