Ndërlidhjet

Sulm i armatosur në Siri, dhjetëra të vrarë


Fotografi pas sulmit
Fotografi pas sulmit

Dhjetëra persona u vranë nga një sulm ndaj një autobusi me pjesëtarë të sigurisë së qeverisë siriane në Deir al-Zor të Sirisë.

Nuk ka informacione më të detajuara të incidentit që ndodhi në një zonë ku janë vendosur kryesisht ushtria siriane dhe milicitë e mbështetura nga Irani, pranë qytetit antik të Palmyra.

Agjencia AFP raporton se militantët e grupit Shteti Islamik (IS) vranë 37 ushtarë pasi i zunë pritën autobusit me të cilin po udhëtonin. Ky vlerësohet të jetë një nga sulmet më vdekjeprurëse që nga mposhtja e Shtetit Islamik vitin e kaluar, tha Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë që monitoron konfliktin në Siri.

Organizata tha se sulmi shënjestroi ushtarët e regjimit, ndërsa ata po udhëtonin në shtëpi për pushime. Agjencia zyrtare e lajmeve Sana raportoi se një "sulm terrorist" ndaj një autobusi vrau "25 qytetarë" dhe plagosi 13 të tjerë.

IS pushtoi pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut dhe shpalli një "kalifat" ndërkufitar më 2014. Grupi u mposht në Siri në mars të vitit të kaluar, por qelizat e tij vazhdojnë të kryejnë sulme, përkatësisht në shkretëtirën e gjerë që shtrihet nga provinca qendrore e Homs deri në Deir Ezzor dhe kufirin me Irakun.

"Ky ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse që nga rënia e IS-it vitin e kaluar", tha kreu i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman, për AFP.

Rahman tha se autobusi u sulmua afër fshatit Shula nga xhihadistët të cilët shpërthyen bomba buzë rrugës përpara se të hapnin zjarr ndaj ushtarëve që i përkisnin divizionit të 4-të të ushtrisë. Dy autobusë të tjerë që ishin pjesë e autokolonës arritën të shpëtonin, tha organizata. Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Në dhjetor të vitit 2017, kryeministri i atëhershëm i Irakut, Haider al-Abadi shpalli fitoren përfundimtare kundër IS-it. Grupi humbi territorin e fundit të të ashtuquajturit kalifat të tyre në Siri në mars të vitit 2019.

Në muajt e fundit shkretëtira Badia e Sirisë ishte arenë e përplasjeve të rregullta midis xhihadistëve dhe forcave të regjimit sirian të mbështetur nga Rusia.

Në prill, 27 luftëtarë besnikë të qeverisë së Damaskut dhe milicë aleatë të mbështetur nga Irani u vranë në një sulm të IS-it pranë qytetit Al-Sukhna i cili është nën kontrollin e regjimit.

Lufta në Siri ka lënë të vrarë më shumë se 387,000 njerëz që kur filloi më 2011.

XS
SM
MD
LG