Ndërlidhjet

Dy bombardues amerikan kanë fluturuar mbi Gjirin Persik


Aeroplani luftarak B-52.
Aeroplani luftarak B-52.

Dy bombardues B-52 të Shteteve të Bashkuara raportohet se kanë fluturuar mbi Gjirin Persik, për herë të tretë në muajt e fundit, me sa duket me qëllim të parandalimit të Iranit për të sulmuar SHBA-në ose aleatët në rajon.

Bombarduesit amerikanë zhvilluan një mision vajtje-ardhje, 30 orë nga Baza e Forcave Ajrore në Dakotën Veriore.

"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të vendosin pajisjet e gatshme për luftime në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore të SHBA-së për të parandaluar çdo kundërshtar të mundshëm dhe për të bërë të qartë se ne jemi të gatshëm dhe të aftë t'i përgjigjemi çdo agresioni drejtuar amerikanëve ose interesave tona", tha gjenerali Kenneth McKenzie, shefi i Komandës Qendrore të SHBA-së.

"Ne nuk kërkojmë konflikt, por askush nuk duhet të nënvlerësojë aftësinë tonë për të mbrojtur forcat tona ose për të vepruar me vendosmëri në përgjigje të çdo sulmi", tha ai.

Forca Ajrore të SHBA-së kanë kryer dy misione të ngjashme në 45 ditët e fundit.

Misioni pasqyron shqetësimin në rritje në Uashington se Irani mund të urdhërojë hakmarrje të mëtejshme ushtarake për vrasjen nga ana e SHBA-së të komandantit të lartë ushtarak iranian gjeneralit, Qasem Soleimani, në Irakun fqinj, në janar të vitit 2020.

Disa ditë pas sulmit ajror që vrau Soleimanin, Irani filloi një sulm me raketa balistike në një bazë ushtarake që strehonte trupa ndërkombëtare në Irak duke shkaktuar dëme materiale dhe tronditje psiqike të rreth 100 trupave amerikane.

Shqetësimet janë shtuar edhe pas një sulmi me raketa javën e kaluar në kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Bagdad nga grupet e milicisë Shiite të mbështetur nga Irani.

Askush nuk u vra në sulm, por presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dërgoi një paralajmërim Teheranit.

"Disa këshilla miqësore shëndetësore për Iranin: Nëse një amerikan vritet, unë do ta konsideroj Iranin përgjegjës. Mendojeni mirë", shkroi Trump në Twitter më 23 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara kanë zvogëluar numrin e stafit në Ambasadën e SHBA-së në Bagdad.

XS
SM
MD
LG