Ndërlidhjet

Irakianët përkujtojnë gjeneralin e vrarë iranian


Një person në Irak kalon pranë një murali ku janë portretet e Qasem Soleimanit dhe Abu Mahdi al-Muhandis të vrarë në sulmin me dron të SHBA-së.
Një person në Irak kalon pranë një murali ku janë portretet e Qasem Soleimanit dhe Abu Mahdi al-Muhandis të vrarë në sulmin me dron të SHBA-së.

Qindra irakianë dolën në sheshin Tahrir të Bagdadit më 3 janar për të shënuar përvjetorin e parë të vrasjes së gjeneralit iranian dhe të një lideri të milicisë shiite.

Vitin e kaluar, përmes një sulmi me dron të Shteteve të Bashkuara, në afërsi të aeroportit të Bagdadit u vra gjeneralmajor Qasen Soleimani, komandant i forcave Quds të Gardës Revolucionare të Iranit. Në këtë sulm u vra edhe Abu Mahdi al-Mohandes, nënkryetar i milicisë Hash dal-Shaabi si dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të milicisë.

Mijëra persona, në mbrëmjen e 2 janarit marshuan përmes një autostrade që çon në aeroportin e Bagdadit për të nderuar Soleimanin dhe al-Mohandesin si dhe të vrarët e tjerë në sulmin amerikan.

Vrasja e Soleimanit kishte rritur frikën për një konflikt të armatosur ndërmjet Iranit dhe SHBA-së.

Tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit u rritën që prej se më 2018, presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe rivendosi sanksionet ndaj Republikës Islamike.

Në kohën kur u vra Soleimani, Trump kishte shkruar në Twitter se ai u vra “pasi kishte vrarë apo plagosur rëndë mijëra amerikanë dhe planifikonte të vriste edhe të tjerë”.

Irani ishte përgjigjur duke kryer sulme me raketa në bazat në Irak, ku janë të vendosur trupat amerikane.

Masat e sigurisë janë ashpërsuar në Iran, tha Ministria e Brendshme më 2 janar. Për javë të tëra, zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar se Irani ose aleatët e tyre në milicitë irakiane mund të kryejnë sulme hakmarrëse më 3 janar, në përvjetorin e vrasjes së gjeneralit Soleimani.

Më 2 janar, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif i bëri thirrje Trumpit që të mos mashtrohej nga planet izraelite për të provokuar një luftë përmes sulmeve në forcat amerikane në Irak.

“Informacionet e inteligjencës nga Irakut lënë të kuptojnë se agjentët e Izraelit janë duke planifikuar sulme kundër amerikanëve për të krijuar një justifikim të rremë për luftë”, tha ai, duke shtuar se Trumpi duhet të ishte i kujdesshëm.

Një ditë më herët, një zyrtar izraelit hodhi poshtë pretendimet se vendi i tij po planifikonte që të provokonte një luftë ndërmjet SHBA-së dhe Iranit.

XS
SM
MD
LG