Ndërlidhjet

Kosova siguron 500,000 vaksina kundër COVID-19


Vaksina e kompanisë Pfizer kundër sëmundjes COVID-19
Vaksina e kompanisë Pfizer kundër sëmundjes COVID-19

Kosova ka siguruar 500,000 vaksina anti-COVID-19 nga kompania farmaceutike Pfizer, njoftoi ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj.

Në një postim në Facebook, Zemaj tha se konfirmimin për sigurimin e tyre e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer-it, gjatë një takimi virtual të mbajtur të martën.

“Krahas kësaj, Kosova do të marrë nga mekanizimi COVAX edhe 360,000 vaksina falas për 20 për qind të popullatës”, tha Zemaj, për të shtuar se vaksina do t’iu jepet falas të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zemaj nuk tha se kur pritet të arrijnë në Kosovë këto vaksina.

COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19 edhe në vende më të varfra.

Kosova ka aplikuar për sigurimin e vaksinave në COVAX qysh më 7 dhjetor.

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ka siguruar 500,000 vaksina nga kompania Pfizer dhe se një pjesë të tyre do t’ia ndajë Kosovës.

Kompania amerikane Pfizer e ka krijuar vaksinën kundër COVID-19 në bashkëpunim me kompaninë gjermane BioNTech dhe është thënë se efikasiteti i saj është 95 për qind.

Vaksina Pfizer/BioNTech ka nisur të jepet për herë të parë më 8 dhjetor, në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo tani jepet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, në SHBA, Kanada dhe disa vende të tjera.

Përparësi në vaksinim gjetkë kanë punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit.

Vaksina sugjerohet të jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

XS
SM
MD
LG