Ndërlidhjet

Kuvendi voton për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse


Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Kuvendi i Kosovës votoi të martën për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët dhanë miratimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse, në kuadër të Forcës Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.

“Përparimi i vazhdueshëm në aspektin operacional dhe profesional i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve tanë, kanë bërë që FSK-ja të fitojë besimin e partnerit tonë kryesor strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të qenë krah forcave paqeruajtëse amerikane në misione ndërkombëtare paqeruajtëse”, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në fjalimin e tij përpara Kuvendit të Kosovës.

Seanca e jashtëzakonshme u mbajt me kërkesë të Hotit.

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Ky vendim më pas i është dërguar Kuvendit të Kosovës.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet.

XS
SM
MD
LG