Ndërlidhjet

Një gjykatë në Irak lëshon urdhër-arrest kundër Trumpit për vrasje


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Një urdhër-arrest është lëshuar të enjten ndaj presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump lidhur me vrasjen e një gjenerali iranian dhe një lideri të milicisë irakiane vitin e kaluar, thanë autoritetet gjyqësore irakiane.

Urdhër-arresti u lëshua nga një gjykatës në Bagdad, ku po hetohet sulmi me dron i Shteteve të Bashkuara, që la të vrarë gjeneralin Qassim Soleimani dhe Abu Mahdi al-Muhandis, tha gjykata irakiane.

Ata u vranë në sulmin që u krye janarin e vitit të kaluar në aeroportin e Bagdadit, raporton AP.

Al-Muhandis ishte zëvendëskryetar i një milicie irakiane, e cila mbështetej nga grupe iraniane. Ndërkaq, Soleimani ishte komandant i forcave Quds të Gardës Revolucionare të Iranit.

Akuza për vrasje në Irak ka dënim me vdekje. Por, ky urdhër-arrest ndaj Trumpit është më shumë simbolik, teksa presidenti është në ditët e fundit të presidencës së tij.

Vendimi për ta lëshuar këtë urdhër u tha se u bë “pasi gjykatësi kishte marrë deklaratat nga familja e Abu Mahdi al-Muhadis” të cilët janë në cilësinë e paditësve. Hetimi për këto vrasje është duke vazhduar, njoftoi Këshilli gjyqësor Suprem.

Sulmi me dron i SHBA-së shkaktoi një krizë diplomatike mes Irakut dhe SHBA-së dhe ligjvënësit kishin kaluar një rezolutë në Parlamentin irakian që i bënte thirrje qeverisë që të dëbojë nga shteti trupat e huaja.

XS
SM
MD
LG