Ndërlidhjet

Vërshime në disa pjesë të Kosovës


Rruga Rud-Sferkë në Malishevë e dëmtuar nga vërshimet.
Rruga Rud-Sferkë në Malishevë e dëmtuar nga vërshimet.

Instituti Hidrometorologjik i Kosovës (IHK) bënë të ditur se pas reshjeve të shiut dhe borës në disa pjesë të vendit ka pasur vërshime. Sipas parashikimeve të IHK-së, pritet që edhe gjatë ditëve në vazhdim të ketë reshje në tërë vendin.

Përmes një njoftimi të dielën IHK-ja, bën të ditur se situata e paqëndrueshme meteorologjike do të vijoj edhe në pesë ditët e ardhshme.

“Reshjet e shiut dhe të borës të cilat tani po bien, do të vazhdojnë edhe gjatë natës të dielën, por nga dita e hënë reshjet do të jenë me intensitet më të dobësuar”, thuhet në njoftim.

Sipas IHK-së, sasitë e reshjeve aktualisht më intensive janë në rajonin e Dukagjinit.

Më herët IHK kishte njoftuar se si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet më të theksuar në Dukagjin, por edhe në pjesë të tjera të vendit, është shkaktuar ngritje e nivelit nëpër lumenj.

“Më i atakuari është sistemi lumor i Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuotat maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime (Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Pejës Bistrica e Deçanit, Mirusha, Toplluha) pastaj në pellgun e Ibrit lumenjtë: Ibri, Sitnica, Drenica me degët e tyre”, thuhej në njoftim.

Edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes një njoftimi për media të shtunën ka bërë të ditur se pas gjendjes së krijuar me reshjet në nivel vendi, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë, ku gjatë orëve të vona ka realizuar operacionet e kërkim - shpëtimit në disa lokacione ku është rrezikuar jeta e qytetarëve.

Operacionet thuhet se janë realizuar me sukses dhe kanë arritur të evakuojnë qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Komuna e Gjakovës ndërkaq ka njoftuar se rreth 70 banorët e evakuuar më 8 janar nga lagjja “Shotë Galica” në Brekoc të Gjakovës, janë strehuar përkohësisht në ambientet e Aeroportit të Gjakovës.

Në anën tjetër, rrjetin social Facebook, zjarrëfikësit e Kosovës kanë postuar disa fotografi ku shihen duke ndihmuar qytetarët.

Komuna e Malishevës përmes një njoftimi të dielën ka bërë të dituar se është rritur niveli i ujit, në lumin Mirusha dhe kanë ndërhyrë ekipet e intervenimit.

“Gjatë pasdites së sotme, niveli i ujit në lumin Mirusha, është rritur përsëri. Për të parandaluar vërshimet, komuna ka ndërhyrë në disa pika, duke e hapur rrjedhën e lumit, sidomos në vendet ku ka ura, dhe të gjitha ekipet emergjente janë terren dhe në gatishmëri”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Një ditë më herët Komuna e Malishevës kishte njoftuar se rruga që lidhë fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar dhe është tërësisht e pakalueshme.

XS
SM
MD
LG