Ndërlidhjet

Dhoma e Përfaqësuesve voton për shkarkimin e Trumpit


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar të mërkurën rezolutën për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kongresit nga një turmë e mbështetësve më 6 janar.

Trump është presidenti i parë në historinë amerikane ndaj të cilit janë kryer dy tentime për largim nga zyra.

Rezoluta për shkarkim është miratuar nga 232 ligjvënës, derisa 197 të tjerë kanë votuar kundër.

Përveç demokratëve, dhjetë republikanë kanë votuar po ashtu në të mirë të shkarkimit të Trumpit.

Pas këtij hapi, Senati do të duhet të zhvillojë një seancë gjykimi, çka potencialisht mund t’ia ndalojë Trumpit edhe kandidimin e sërishëm për president.

Dy të tretat e Senatit, të udhëhequr nga republikanët, nevojiten për të dënuar dhe larguar Trumpin nga zyra, që nënkupton se të paktën 17 republikanë duhet t’iu bashkohen demokratëve kundër presidentit në Senatin me 100 ulëse.

Lideri i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell, i ka thënë demokratit Chuck Schumer se ai nuk ka gatishmëri për të organizuar seancë urgjente për të shqyrtuar largimin e Trumpit nga zyra, pas përfundimit të procedurave në Dhomën e Përfaqësuesve, ka thënë një zëdhënës i McConnellit.

McConnell ka thënë më pas se ende nuk ka vendosur si do të votojë.

“Teksa shtypi është mbushur me spekulime, ende nuk kam vendosur se si do të votoj dhe synoj të dëgjoj argumentet ligjore kur të prezantohen në Senat”, ka thënë ai.

Përgjatë debatit për shkarkim të Trumpit demokratët kanë pyetur disa herë ligjvënësit se në “cilën anë të historisë” dëshirojnë të jenë.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për mundësi të organizimit të “protestave të armatosura” nëpër SHBA, teksa zhvillohet inaugurimi i presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar.

Trump bën thirrje që të mos ketë dhunë

Trump, i cili ka thënë se nuk do të marrë pjesë në inaugurim, vazhdon të mos pranojë rezultatin e zgjedhjeve.

Teksa është diskutuar për artikullin për shkarkim, Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një komunikatë në emër të Trumpit, i cili ka bërë thirrje për qetësi.

“Lidhur me raportimet për më shumë demonstrata, ju bëj thirrje që të mos ketë dhunë, të mos ketë shkelje të ligjit, dhe të mos ketë vandalizëm të çfarëdo lloji”, është cituar të ketë thënë ai.

“Kjo nuk është ajo në të cilën besoj unë dhe as Amerika. U bëj thirrje të gjitha amerikanëve të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe të qetësojnë gjakrat. Faleminderit”, ka thënë mes tjerash Trump.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se procedura e shkarkimit të Trumpit nuk është e motivuar në bazë partiake.

“Presidenti duhet të dënohet nga Senati, i cili do të sigurojë se republika do të jetë e sigurt nga ky njeri, i cili është kaq i vendosur për të shkatërruar gjërat që i duam dhe na mbajnë bashkë”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Pelosi ka thënë se i thyhet zemra që është pjesë e një tjetër procedure shkarkimi.

“Ma thyen zemrën. Kjo gjë duhet të na thyejë zemrat të gjithëve”.

“Unë qëndroj përpara jush si zyrtare e kushtetutës, si grua, si nënë, si gjyshe, si vajzë – vajzë, babai i së cilës ka shërbyer me krenari në këtë Kongres”.

Çfarë ndodhi para sulmit në Kongres?

Pak para sulmit të 6 janarit në Kongres, Trump ka bërë një fjalim të zjarrtë, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që të marshojnë në ndërtesë të Kongresit, pas disa javëve që ka bërë deklarata të pabaza se zgjedhjet janë manipuluar.

Fjalimi i tij është bërë teksa në Kongres ka qenë duke u kryer numërimi zyrtar i votave të Kolegjit Elektoral, i cili ka konfirmuar humbjen e Trumpit në garën me presidentin e zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Në sulmin në ndërtesën e Kongresit kanë mbetur të vdekur pesë persona, përfshirë në zyrtar policor.

Garda Kombëtare ruan Kongresin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:32 0:00

Me qëllim të garantimit të sigurisë në këtë institucion, nata e kaluar ka qenë e para prej Luftës Civile në Shtetet e Bashkuara, që trupat federale kanë fjetur në Kongres për ta mbrojtur atë nga dhuna e mundshme.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG