Ndërlidhjet

Rusia nis daljen nga Traktati i Qiejve të Hapur


Një aeroplan rus Tupolev-214 që kryen fluturime në bazë të Traktatit për Qiej të Hapur.

Rusia tha se ka nisur procedurën për tërheqje nga Traktati ndërkombëtar i Qiejve të Hapur, pas largimit të SHBA-së, vitin e kaluar.

Kjo marrëveshje lejon fluturime për mbikëqyrje ajrore në mbi dhjetëra shtete pjesëmarrëse.

Ministria e Jashtme ruse tha se tërheqja e SHBA-së “e ka prishur ndjeshëm balancën e interesave të shteteve nënshkruese” dhe se propozimet e Rusisë për ta mbajtur gjallë marrëveshjen janë injoruar nga aleatët në Uashington.

“Duke pasur parasysh mungesën e përparimit në përpjekjet për t’i hequr pengesat që parandalojnë funksionimin e Traktatit në situatën e re, Ministria e Jashtme ruse ka të drejtë të njoftojë fillimin e procedurave të brendshme për tërheqje nga Traktati për Qiejt e Hapur”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr zyrtarisht nga Traktati më 22 nëntor, pas, siç është thënë, “shkeljeve flagrante” nga Moska.

Në atë kohë, Moska e ka dënuar vendimin duke thënë se është i dëmshëm për sigurinë e Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Traktati i Qiejve të Hapur është nënshkruar në vitin 1992 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2002, duke lejuar 34 anëtarët e tij të kryejnë fluturime të paarmatosura vëzhguese mbi territoret e njëri-tjetrit, për të mbledhur të dhëna për forcat ushtarake dhe aktivitetet.

Ithtarët e Traktatit thonë se fluturimet ndihmojnë në krijimin e besimit midis vendeve, pasi, për shembull, tregojnë se kundërshtarët nuk po vendosin forca fshehurazi ose nuk po përgatiten të fillojnë sulme.

XS
SM
MD
LG