Ndërlidhjet

KQZ: 47 kandidatë të papërshtatshëm për deputetë


Ilustrim.

Nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Sipas tij, kjo është përgjigjja që KQZ-ja ka marrë nga Këshilli Gyqësor i Kosovës.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, ka bërë të ditur se ky institucion ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë konfirmimin për përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, bazuar në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

“Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”, ka thënë Elezi.

Megjithatë, ai nuk i ka bërë të ditur emrat e këtyre kandidatëve dhe as të subjekteve politike, të cilave ata u takojnë.

Elezi ka shtuar se pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatitë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre dhe se këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së.

Siç ka teksuar ai, këto rekomandime do të bëhen gati gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar.

Elezi ka sqaruar që në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe se çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme, nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-it.

Periudha e ankesave dhe vendimit sipas tij, do të përmbyllet më 31 janar, ndërkaq më 1 shkurt do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG