Ndërlidhjet

Liderët e Ballkanit urojnë Bidenin


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ftoi presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që ta vizitojë Serbinë.

Në urimin e tij drejtuar Bidenit, pas inaugurimit të tij si president i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Vuçiq kujtoi se, këtë vit shënohet 140 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

"Deri më tani janë shënuar përvjetorë të rëndësishëm nga historia e përbashkët, duke kujtuar shembuj të aleancës mes dy vendeve në anën e së vërtetës dhe drejtësisë", ka thënë Vuçiq.

Këta shembuj, sipas tij, "ka qenë një nxitje për Serbinë, që të përpiqej t'i kthejë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin e një partneriteti të vërtetë, megjithë gjurmët nga kohërat e keqkuptimit dhe mosmarrëveshjeve".

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, e uroi presidentin amerikan me dëshirën për sukses në përmbushjen e detyrave të tij.

“Dua t'ju siguroj se Malin e Zi do ta keni një mik të sinqertë, partner të besueshëm dhe një aleat të përgjegjshëm, në përballje me sfidat komplekse globale dhe çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor", thuhet në urimin e presidentit Gjukanoviq.

Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë dhe Herzegovinës, Shefik Xhaferoviq, tha se inaugurimi i Bidenit ngjall shpresën "jo vetëm te kombi i madh amerikan, por te të gjithë njerëzit me qëllime të mira në të gjithë botën".

Ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha pas inaugurimit të Bidenit se i vjen mirë që "besimi për një dritë në fund të tunelit prap se prap triumfon atje".

Përndryshe, si senator, Biden ka qenë aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe ka vizituar këtë rajon në disa raste.

Hera e fundit që Biden ka vizituar Kosovën dhe Serbinë, si zëvendës-president i Shteteve të Bashkuara, ka qenë në gusht të vitit 2016.

XS
SM
MD
LG