Ndërlidhjet

Hoti: Kosova e përkushtuar për kultivimin e raporteve me SHBA-në


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova ka marrëdhënie shumë të veçanta me Shtetet e Bashkuara.

“Në historinë e fundit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol vendimtar”, thuhet midis tjerash, në urimin e Hotit drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili u inaugurua më 20 janar.

Përmes një njoftimi të zyrës së kryeministrit në detyrë Hoti, thuhet se ai e ka siguruar presidentin Biden, se Qeveria e Kosovës, të gjitha partitë politike, “pozita dhe opozita janë plotësisht të përkushtuara për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Unë jam i përkushtuar të punojë me administratën tuaj për të forcuar institucionet demokratike, integrimin euro - atlantik dhe për t'u bërë një bartës i stabilitetit” thuhet në letër.

Demokrati, Joe Biden, u betua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë fund një prej tranzicioneve më dramatike politike në historinë e këtij vendi.

Kryeministri në detyrë Hoti, ka shprehur mirënjohje edhe për paraardhësin e Bidenit, Donald Trump dhe administratën e tij, për mbështetjen e dhënë për Kosovën dhe integrimet ekonomike rajonale.

Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 shtator 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, në prani të presidentit të atëhershëm, Donald Trump, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike.

Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjes pavarësisht ndryshimeve në administratën amerikane.

XS
SM
MD
LG