Ndërlidhjet

Shqipëria shpall “person non grata” diplomatin rus


Pamje nga Tirana
Pamje nga Tirana

Shqipëria ka shpallur “person non grata” (person të padëshirueshëm) diplomatin Alexey Krivosheev nga Rusia.

Qeveria e këtij vendi ka marrë vendim që diplomati rus të largohet brenda 72 orësh, nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar.

Vendimi, sipas Qeverisë, lidhet me faktin se diplomati, në mënyrë të përsëritur, nuk i ka respektuar masat e marra nga autoritetet për mbrojtjen e popullatës ndaj sëmundjes COVID-19.

"Që prej muajit prill, 2020, por edhe në fillim të këtij viti, Qeveria shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme mbi shkeljet e hapura të masave të marra nga ana e një diplomati të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë", thuhet në njoftimin e dhënë nga Ministria e Jashtme shqiptare.

Në njoftim thuhet se përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke ia bërë me dije “shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti-COVID-19 nga diplomati”.

“Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”, thuhet në njoftim.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë thotë se uron që “ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse” dhe se “Shqipëria e siguron palën ruse për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Zyrtarët rusë nuk kanë bërë ende ndonjë koment.

Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Shqipëria ka vendosur orë policore gjatë natës, i ka bërë të detyrueshme maskat brenda dhe jashtë, ashtu si dhe distancën sociale.

XS
SM
MD
LG